Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për podcastin “East Side Stories” të së përditshmes austriake Die Presse, komentoi mbi procesin e integrimit europian, pavarësinë e SPAK-ut, investimet strategjike në Shqipëri dhe raportet ndërkombëtare, përfshi ato SHBA–Rusi.
Duke u ndalur te drejtësia e re, Rama tha se edhe SPAK mund të gabojë, por theksoi se pavarësia e tij është e panegociueshme.
“Hetimi duhet të bëhet pa marrë parasysh nga cila anë vjen çështja. Nuk është këndshëm si opera. Është e dhimbshme. Është e hidhur. Por është e vetmja rrugë. SPAK nuk është perfekt, por nuk duhet të prekët pavarësia që i kemi dhënë.”
Ai u shpreh se ndërtimi i mekanizmave të drejtësisë që provojnë pavarësinë e tyre është një proces, dhe gabimet nuk duhen përdorur si pretekst politik.
Integrimi në BE: “S’duam të kënaqim Brukselin, duam të ndryshojmë Shqipërinë”
Rama nënvizoi se synimi për anëtarësim deri në vitin 2030 mbështetet gjerësisht nga Komisioni Europian, por ngriti pritshmëri realiste:
“A do jemi si Austria brenda dy vjetësh? Jo. Por ka kritere të qarta që duhen përmbushur. Ne nuk i bëjmë detyrat për t’i kënaqur ata, por për ta bërë Shqipërinë më evropiane dhe më demokratike.”
Kushner, investimet dhe debati Trump–Soros
Kryeministri foli edhe për investimin e Jared Kushner në ishullin e Sazanit, duke theksuar se ai nuk është i lidhur me konflikte apo pozicionime politike në SHBA.
Rama sqaroi se takimi me Kushnerin nuk u planifikua si pjesë e ndonjë axhende politike:
“Ata erdhën, e panë vendin, u kthyen dhe vendosën të investojnë. Miqësia nuk varet nga politika dhe do të mbijetojë edhe pas Trump-it. Shqipëria është shtëpia për miqtë tanë, pa dallim.”
Ai komentoi shkurtimisht edhe debatet e brendshme amerikane rreth Kushner–Soros:
“Nuk është puna ime të gjykoj. Nuk bëhet fjalë për mua. Është puna e tyre.”
Marrëdhënia me Rusinë: “Nuk na mungon”
Rama theksoi se Shqipëria dhe Rusia nuk kanë pasur marrëdhënie të drejtpërdrejta prej vitit 1960.
“S’kemi pasur vizita në Rusi dhe as vizita të Rusisë në Shqipëri. Dhe, sinqerisht, nuk na mungon.”


