Një çështje tronditëse është zbuluar në Zvicër, ku drejtësia po heton një rast abuzimi seksual që lidhet me rrethin e ngushtë të familjes së kampionit legjendar të Formula 1, Michael Schumacher.
Sipas aktakuzës, një pilot australian garash, mik i Mick Schumacher, dyshohet se ka përdhunuar infermieren personale të Michael Schumacher, në fund të vitit 2019, brenda rezidencës familjare në Gland, kantoni Vaud.
Gazeta zvicerane “24heures.ch” raporton se familja Schumacher nuk ka asnjë përfshirje në këtë rast, përveç faktit se ngjarja e dyshuar ka ndodhur në banesën e tyre. Asnjë prej anëtarëve të familjes nuk ka qenë i pranishëm gjatë incidentit dhe nuk janë thirrur për të dëshmuar.
Prokurori Xavier Christ po ndjek hetimet, ndërsa viktima – atëherë në të tridhjetat – ka qenë pjesë e stafit mjekësor që kujdesej për Schumacher pas aksidentit të rëndë me ski në Meribel, në vitin 2013.
I akuzuari, gjithashtu në fund të të tridhjetave, ishte një pilot profesionist garash që kishte ambicie për t’u ngjitur në Formula 1 dhe kishte akses të lirë në pronën e familjes për shkak të miqësisë me Mick Schumacher.


