Një pallat i dëmtuar nga tërmeti i 2019 dhe i pabanuar, që ndodhet në rrugën “Aleksandër Gogo” në Durrës është bërë një vend i rrezikshëm dhe shqetësim për banoret e kësaj zone. Ai është kthyer në një strehëz për përdoruesit e drogës dhe ushtrimit të prostitucionit.
Autoritetet deri tani nuk kanë marrë asnjë masë. Qytetarët ankohen se duhet të përballen çdo ditë, jo vetëm me infeksionet e mundshme, por edhe me rrezikun që sjellin frekuentuesit e këtyre vendeve. Banorët e zonës përreth tregojnë se janë ankuar dhe në polici.
Ata shprehen se një shqetësim i madh është se këta persona të paidentifikuar konsumojnë lëndë narkotike, dhe janë kthyer në rrezik sepse vjedhin dhe kanë djegur katin e dytë të pallatit të pabanuar.
Disa nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Eftali Koço”, që ndodhen vetëm 10 minuta larg nga pallatit tregojnë se kanë frikë kur kalojnë aty pranë.
Grupi i xhirimit të Fiks Fare gjen brenda disa përdorues të lëndëve narkotike, të cilët fillojnë të bërtasin dhe kërkojnë që gazetarët të largohen.
Njëri prej tyre pranon të flas me gazetaren e Fiksit duke treguar se ishte përdorues i drogës prej shumë vitesh .”Kam vite që konsumoj drogë, policia e di se çfarë bëjmë, asnjëherë nuk na kanë ndihmuar. Më kanë arrestuar, më mbajnë 2-3 muaj, pastaj më nxjerrin sërish jashtë. Nuk duhet të arrestohem unë, por shitësi i lëndëve narkotike”.
Gjatë kësaj kohe që po bisedonim me me të, persona të tjerë vijnë nga jashtë, të cilët duken që janë në një gjendje të rënduar. Njëri nga përdoruesit fillon dhe bërtet nga dhoma tjetër duke kërkuar qe ne të dalim jashtë.
“Kam kërkuar ndihmë që të reabilitohem, por asnjëherë nuk kam arritur që të pastrohem krejtësisht, pasi institucionet nuk na ndihmojnë”, reagon një djalë tjetër. AI mban në dorë një shishe uji të cilën tregon se e kishte përshtatur për te konsumuar ‘KRAK’. Sipas tij, kjo është një formë ndryshe e marrjes së kokainës nëpërmjet djegies me bidon, ose me llullë.
“Kam që në vitet ’90-’93 që jam përdorues i krakut. Nuk e kam problem. E dinë të gjithë që e konsumoj. Nuk dëmtoj askënd, përveç vetes. Nuk mund të heq dorë”, tregon ai.
Një prej përdoruesve na tregon se në një nga dhomat e këtij pallatit të braktisur ndodhet dhe një zonjë, Ana, përdoruese droge, por që ushtron prostitucion.
Ana: Policët janë klientët e mi
Kamera e Fiks Fare shkon në vendin që Ana e kishte përshtatur si banesë për veten . Tek dera na pret “ANA”, sipas saj emri i punës. Një grua 31 vjeçare, nënë e tre fëmijëve minorenë.
Ana tregon se është vetëstrehuar aty, pasi është e vetme dhe askush nuk ka mundësi ta ndihmojë “Fëmijët i kam lënë në jetimore sepse nuk dua t’i rris këtu. E kam rregulluar ambientin me gjëra që kam gjetur në mbeturina. Më kanë ndihmuar dhe përdoruesit që të rregulloj dhomën. Më kanë përdhunuar disa herë, kam vuajtur shumë në jetë dhe jam në këtë gjendje për shkak të familjes.”
Tregon se i gjen vetë klientët dhe se nuk ka tutor. Klientët e saj janë policë, deputetë.
Kur e pyesim nëse e ka kapur ndonjëherë policia qesh dhe thotë: “Policët?! Nuk më kanë bezdisur, madje disa prej tyre i kam klientë. Ata e dinë që unë jam strehuar këtu”.


