Atletja Luiza Gega është shprehur me keqardhje kur ka parë se delegacioni shqiptar ka valëvitur një flamur që nuk është origjinali shqiptar, por prodhim kinez.
Në një prononcim për TvKlan, Gega tha se është e papranueshme që ekipi shqiptar të parakalojë me një flamur të tillë, kur në fakt simboli kombëtar duhet të jetë i pacënueshëm në gara të tilla.
“Ajo që nuk më pëlqeu është se vura re që flamuri ynë nuk ishte siç duhej, shqiponja nuk ishte shqiponja e vërtetë, pra ishte ai imitimi kinez dhe kjo nuk më pëlqeu, sepse mendoj që unë të paktën nuk do ta kisha pranuar kurrsesi. Duhet pasur një kujdes shumë i madh kur bëhet fjalë aq më tepër për flamurin, sepse kjo është arsye përse ne shkojmë aty, të prezantojmë kombësinë nga vijmë, ngjyrat e flamurit, etj.Kush e ka përgjegjësinë për këtë flamur? Nuk e kam idenë të them të drejtën, vetëm e vura re nga rrjetet sociale dhe pashë… sepse e di shumë mirë sesi është shqiponja, qoftë tek kthetrat, qoftë tek sqepi, qoftë tek bishti. Po të kisha qenë flamurmbajtëse nuk do të kisha pranuar kurrsesi që të parakaloja me një flamur që nuk është i duhuri,”- tha Gega.


