Vrasja e Egli Progës mesditën e të dielës në qytetin e Pogradecit vijon të mbetet një nga ngjarjet që përfshin hije skandali jo vetëm nga Policia, por edhe nga drejtësia shqiptare.
Kujtojmë se pas rrahjes brutale nga 29 vjeçari Denis Meçe që i shkaktoi vdekjen Egli Progës, u raportua se viktima humbi jetën pasi ishte rrëzuar në tokë në gjendje të dehur.
Nuk kanë munguar as reagimet e familjarëve të viktimës kur konstatuan shenja dhune në trupij e Eglit dhe policia u detyrua të reagonte sërish për të deklaruar se e kishte dokumentuar ngjarjen duke arrestuar autorin dhe tre persona të tjerë për moskallëzim krimi.
Policia bëri të ditur se e ka referuar ngjarjen në Prokurori si vrasje me dashje, e cila sipas kodit penal dënohet nga 10 gjer në 20 vjet burgim.
Por prokuroria, mbas 48 orësh që ka dërguar dosjen për vlerësim në gjykatë ka ndryshuar akuzën për Denis Meçen, duke e referuar tashmë ngjarjen si vrasje nga pakujdesia, duke e zbutur dënimin e tij.
Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 5 vjet.
E thënë ndryshe, rrahja brutale që Denis Meçe i ka bërë Egli Progës, që ka shkaktuar vdekjen e këtij të fundit, nga prokurori i çështjes është cilësuar si vrasje nga pakujdesia.
Këtë masë e ka konfirmuar mesditën e sotme edhe gjykata duke e lënë atë në arrest me burg.


