Një shtetas shqiptar nga Tepelena, Klaudio Kanani, i arrestuar në Kinë për trafikimin e një sasie prej 1 ton droge nga Hong Kongu, i ka shpëtuar dënimit me vdekje falë përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike të qeverisë shqiptare.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, këtë të hënë gjykata e shkallës së parë në qytetin Guangzhoi, provinca Guandong, rrëzoi kërkesën e prokurorisë për dënim kapital dhe vendosi që Kanani të dënohet me 25 vite burg.
Prokuroria kineze kishte kërkuar ekzekutimin e tij në maj të vitit 2024. Që prej asaj kohe, autoritetet shqiptare janë vënë në lëvizje përmes kanaleve diplomatike për të shpëtuar jetën e 28-vjeçarit.
Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka zhvilluar disa takime me ambasadorin e Kinës në Tiranë, ndërsa edhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja është përfshirë në përpjekjet zyrtare. Ambasadori shqiptar në Kinë, Riza Poda, e ka ndjekur çështjen nga afër dhe ishte i pranishëm në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së vendimit.
Familjarë të Kananit, të cilët ishin të pranishëm në gjykatë, u lejuan ta takonin për pak minuta. Ata thanë se ai ishte i qetë dhe i kënaqur me vendimin, pas një pritjeje të gjatë dhe të vështirë prej 12 muajsh.
Ndërkohë, dy nga bashkëpunëtorët kinezë të Kananit janë dënuar me varje, ndërsa dy të tjerë me pushkatim publik.
Ministria e Drejtësisë shqiptare ka konfirmuar se do të nisë procedurat për transferimin e Kananit në Shqipëri për të vuajtur dënimin, në bazë të marrëveshjes së reciprocitetit mes dy vendeve. Megjithatë, ky proces do të mund të nisë vetëm pasi të jepet vendimi përfundimtar nga gjykata e apelit në Kinë.


