Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e Zvërnecit, ku u ndal te zhvillimi i zonës, investimet turistike dhe çështjet e pronësisë.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve, Rama theksoi se prioritet duhet të jetë edhe menaxhimi i mjedisit dhe pastërtia e zonës, duke vënë në dukje rolin e bizneseve në krijimin e mbetjeve.
“Mbani pastër zonën tuaj, sepse problemi më i madh në gjithë këtë territor janë bizneset sa i përket pastërtisë, sepse sasinë më të madhe të mbeturinave e prodhojnë bizneset, hotelet, restorantet”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë u ndal më pas te debatet për investimet, duke theksuar se ato nuk përcaktohen nga protestat, por nga institucionet dhe proceset demokratike.
“Nuk e përcaktojnë ata që dalin në rrugë dhe thonë ‘do vendosim ne, se ne jemi populli’. Si populli? Po ata që votojnë çfarë janë? Nuk janë populli ata? Jo 5 mijë veta, po 500 mijë të dalin në shesh nuk mjaftojnë. Sepse janë 800 e kusur mijë që kanë bërë marrëveshje me mua dhe me PS-në”, deklaroi Rama.
Ai solli si shembull zhvillimin e Tivatit në Mal të Zi, duke e lidhur me ndikimin e investimeve të mëdha turistike në ekonomi dhe punësim.
Sipas tij, zona dikur e pazhvilluar është transformuar ndjeshëm falë projekteve të mëdha, duke rritur numrin e turistëve dhe vlerën e pronës.
Rama foli gjithashtu për mungesën e fuqisë punëtore, duke e cilësuar si një fenomen rajonal dhe europian, ku shumë vende po përballen me nevojën për punëtorë të huaj.
“Fenomeni i punëtorëve që vijnë nga jashtë është i përgjithshëm në Greqi, Itali… të gjitha shtetet e Evropës janë në radhë për të marrë punëtorë”, tha ai.
Kryeministri shtoi se investimet e parashikuara në Zvërnec nuk kufizohen vetëm te struktura turistike, por përfshijnë edhe shërbime si spital dhe shkollë turizmi, me synim zhvillimin afatgjatë të zonës.


