Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësimin për atë që e cilësoi si përdorim të inteligjencës artificiale për krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve të rreme që, sipas tij, synojnë të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Duke folur për ndikimin e dezinformimit në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare, Rama deklaroi se janë publikuar video të manipuluara që paraqesin protesta masive të paqena në vend.
“Po bëhen me AI video protestash që nuk ekzistojnë, buzëdetit me miliona njerëz. Ku ka buzë detit miliona njerëz? Këtu që bëjnë protestë dhe që të gjitha mediat në Lindjen e Mesme, në Izrael dhe në Amerikë të nxjerrin atë protestë e të thonë: ‘Ja’, është përpjekje për të na bërë gropën”, u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, këto narrativa synojnë të godasin reputacionin e Shqipërisë, duke prekur edhe një nga aspektet që ai e konsideroi si vlerë të veçantë historike të vendit.
“Bota tani ka filluar ta kuptojë tamam. Myslimanët shqiptarë, së bashku me të krishterët, shpëtuan hebrenjtë. Kjo është një medalje ari që ia kanë dhënë Shqipërisë ata që nuk rrojnë më”, tha Rama.
Kreu i qeverisë pretendoi se pas këtyre fushatave qëndrojnë aktorë që janë kundër interesave të Shqipërisë, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë Iranin.
“Ky është sulmi që është bërë nga ata që janë armiqtë e Shqipërisë. Irani e ka shfrytëzuar këtë moment”, deklaroi Rama.
Ai paralajmëroi se përhapja e përmbajtjeve të manipuluara mund të ketë pasoja për imazhin e vendit dhe theksoi nevojën për kujdes ndaj informacionit që qarkullon në platformat digjitale.


