“Kjo është një betejë mes pragmatistëve dhe zyrtarëve të vijës së ashpër në Iran në këtë kohë, dhe presidenti dëshiron përgjigje të unifikuar. Dhe, derisa ne po e presim përgjigjen, e kemi një armëpushim për operacionet ushtarake dhe sulmet kinetike”, tha Leavitt.
Leavitt shtoi se trysnia ekonomike dhe bllokada detare e SHBA-së mbeten në fuqi.
Trump e ka bërë një “propozim shumë të fuqishëm” për përfundimin e luftës dhe “nuk ka vendosur ndonjë afat të prerë për ta marrë një propozim nga Irani” si përgjigje, shtoi ajo, pa dhënë hollësi.
Paraprakisht, Leavitt i tha Fox News se Irani duhet të pranojë ta dorëzojë uraniumin e pasuruar në Shtetet e Bashkuara si pjesë e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës.
Lufta filloi me sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt.
Pas bisedimeve ballë për ballë në Islamabad më 11–12 prill që përfunduan pa marrëveshje, pritej të zhvillohej një rund i ri këtë javë, por nuk u zhvillua, pasi Irani nuk e konfirmoi pjesëmarrjen dhe negociatorët amerikanë nuk kanë udhëtuar ende për në Pakistan.
Komentet e Leavitt erdhën pasi kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, përsëriti akuzat e Teheranit se bllokada detare e SHBA ndaj Iranit – e vendosur nga Trump më 13 prill – përbën shkelje të armëpushimit.
Në një postim në X, Qalibaf tha se “rihapja e Ngushticës së Hormuzit është e pamundur me një shkelje kaq flagrante të armëpushimit”. Irani e ka mbyllur praktikisht këtë ngushticë, e cila shërben si rrugë për rreth një të pestën e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm, menjëherë pas fillimit të luftës./REL


