Agron Shehaj ka reaguar pas akuzave të Flamur Nokës, i cili pretendoi se vëllai i Shehajt kishte përfituar tender nga qeveria. Në një video mesazh të publikuar, Shehaj i quajti deklaratat e Nokës “shpifje dhe gënjeshtra”.
“Vazhdo dhe më sulmo, Flamur. Kontrasti mes meje dhe teje është mënyra më e mirë për t’u treguar shqiptarëve kush jemi. Unë jam pasuruar me punë të ndershme. Të gjithë e dinë këtë. Dhe po ashtu e dinë mirë se kush je ti”, u shpreh Shehaj.
Ai shtoi se kur flet për nevojën për ndryshim e jo thjesht rotacion politik, i referohet pikërisht figurave si Noka:
“Nuk mund të zëvendësojmë një mashtrues si Taulant Balla me një mashtrues tjetër si Flamur Noka. Për shqiptarët, asgjë nuk do të ndryshonte”, theksoi Shehaj.
Shehaj ndau edhe një bisedë me një mik të tij brenda PD-së, i cili sipas tij e përshkroi Nokën si një njeri që “ka 30 vjet që mban post me shpifje”. Ai përmendi edhe rastin e Jozefina Topallit, që sipas tij është sulmuar padrejtësisht nga e njëjta logjikë brenda partisë.


