Botuesi i Ismail Kadaresë, Bujar Hudhri, dhe Mirela Bardhi, pronarja e një librarie në Tiranë, kanë përfunduar në gjyq pas kallëzimeve të ndërsjella për shkelje të të drejtave të autorit dhe evazion fiskal.
Hetimi ka nisur në vitin 2024, pas një kallëzimi të depozituar nga një familjare e Hudhrit, e cila dyshonte se në librarinë e Bardhit po tregtoheshin kopje të falsifikuara të veprave të shkrimtarit Ismail Kadare.
Sipas pretendimeve të Hudhrit, libraria ka kopjuar librat origjinalë të Kadaresë dhe i ka shitur si botime autentike. Nga ana tjetër, Mirela Bardhi ka kallëzuar Hudhrin për evazion fiskal.
Në dosjen hetimore, Bujar Hudhri akuzohet për veprën penale “fshehja e të ardhurave”.
Ndërkohë, hetimi ndaj Mirela Bardhit është regjistruar për veprat penale “shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “fshehja e të ardhurave”. Gjatë hetimit janë sekuestruar libra të Ismail Kadaresë për t’iu nënshtruar ekspertimit grafik.
Sipas akt-ekspertimit, janë konstatuar ndryshime në grafikë, kapakë, ngjyrën e fletëve dhe numrin e faqeve. Në dosje thuhet se 31 libra të Ismail Kadaresë dyshohet të jenë kopje jo origjinale dhe të jenë prodhuar në librarinë e menaxhuar nga Bardhi.
Prokuroria i është drejtuar gjithashtu Drejtorisë së Tatimeve, në lidhje me fletëdaljet e librave nga shtëpia botuese “Onufri” drejt librarisë, të cilat sipas akuzës nuk janë deklaruar, duke sjellë shmangie nga pagesa e detyrimeve tatimore.


