Administrata amerikane ka njoftuar ndryshime të mëdha në politikat e imunizimit, duke hequr rekomandimin për vaksinim rutinë kundër Covid-19 për fëmijët e shëndetshëm dhe gratë shtatzëna. Lajmi është bërë publik nga Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, duke anashkaluar procedurën standarde përmes CDC-së.
Vendimi përjashton nga kalendari i vaksinimit rutinë kategoritë që më parë ishin përfshirë që nga mosha 6 muajshe. Tani, dozat kundër Covid-19 do të rekomandohen kryesisht vetëm për të moshuarit dhe personat me rrezik të lartë për komplikacione.
Lëvizja ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin e shëndetit publik, ku ekspertë si profesori William Schaffner e quajtën këtë vendim një “përmbysje të procesit”. Kritikët vënë në dukje se Komiteti Këshillues për Praktikat e Imunizimit (ACIP) nuk është mbledhur për të votuar mbi këtë ndryshim, siç ndodh zakonisht për vendime të tilla madhore.
Ndërkohë, faqja zyrtare e CDC-së vazhdon të theksojë se vaksinimi i grave shtatzëna është i sigurt dhe përfitues, një qëndrim që bie në kontrast me vendimin e fundit.
Robert F. Kennedy Jr., një kritik i kahershëm i vaksinave, aktualisht drejton vetë CDC-në, në përputhje me vizionin e administratës Trump për të zvogëluar ndikimin e institucioneve federale në jetën publike.


