Banda shqiptare e drogës, e drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela, ka përdorur avionë privatë për të transportuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Europës, duke siguruar fitime milionëshe.
Në bisedat e përgjuara në aplikacionin Sky Ecc gjatë vitit 2020, Ervis Çela diskuton blerjen e një avioni të vogël, të cilin e përdorte për transportin e drogës. Një tjetër person i grupit reagon me habi dhe gëzim:
“Seriozisht e ke që ke blerë avion??? Ahahaha lart më lart të pafsha zemra, ta gëzosh zemra.”
Paratë e fituara nga trafiku shpesh fshiheshin ose konvertoheshin në flori. Dorëzimet bëheshin në vende të mbyllura dhe të sigurta, si garazhet, për të shmangur kapjen nga policia. Një prej transaksioneve të mëdha të regjistruara ishte dorëzimi i 595 mijë eurove në Shqipëri.
Banda përdorte edhe metoda të sofistikuara fshehjeje, duke groposur para dhe drogë, siç tregohet në një bisedë ku diskutojnë fshehjen e parave nën rrënjët e ullinjve në Shqipëri.
Operacioni hetimor ka hedhur dritë mbi këtë rrjet kriminal që ka krijuar një mekanizëm të sofistikuar trafiku dhe pastrimi parash, duke përdorur teknologji dhe mënyra moderne transporti për të shmangur autoritetet.


