Serbia ka dërguar një përfaqësues zyrtar në ceremoninë mortore në Teheran për udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei, duke u rreshtuar përkrah delegacioneve nga Rusia, Kina, Bjellorusia, Armenia, Gjeorgjia, Turqia, Pakistani dhe vende të tjera.
Sipas njoftimeve zyrtare, në Iran ka marrë pjesë ministri serb i Informimit dhe Telekomunikacionit, Boris Bratina, i cili është prezantuar nga Ministria e Jashtme iraniane si i dërguar special i presidentit Aleksandar Vuçiq, ndërsa në rrjetet sociale është publikuar se ai ka shkuar në Teheran në emër të Qeverisë së Serbisë.
Bratina ka deklaruar për mediat se pjesëmarrja e tij në ceremoni ishte rezultat i një “urdhri nga lart”, duke theksuar se vizita nuk duhet interpretuar si mbështetje politike për Iranin në konfliktet e tij ndërkombëtare. Sipas tij, Serbia mbetet një shtet neutral dhe ruan marrëdhënie me vende të ndryshme në botë.
Gjatë qëndrimit në Teheran, ai është takuar me zyrtarë iranianë, përfshirë ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi dhe ministrin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Sejed Satar Hashemi. Ai ka shprehur gjithashtu ngushëllime në emër të Qeverisë dhe popullit serb.
Vendimi i Beogradit për të dërguar përfaqësues në këtë ceremoni ka ngjallur debat në opinionin publik dhe në qarqet politike, veçanërisht në kontekstin e përpjekjeve të Serbisë për të forcuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe për të ecur përpara në procesin e integrimit evropian.
Kritikët e këtij veprimi e kanë interpretuar si një sinjal të politikës së jashtme të balancuar të Serbisë mes fuqive të ndryshme globale, ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se ai mund të dëmtojë përpjekjet e Beogradit për afrimin me Perëndimin.
Nga ana tjetër, autoritetet serbe nuk kanë dhënë një shpjegim të detajuar publik mbi mënyrën e vendimmarrjes për këtë përfaqësim në Teheran.
Serbia vijon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Iranin, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare ndaj këtij vendi dhe dallimeve të theksuara në politikën e jashtme me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në.


