Një debat i fortë ka shpërthyer në rrjetet sociale pas publikimit të disa komenteve të senatorës paraguajane Celeste Amarilla, të cilat janë cilësuar si raciste dhe fyese ndaj futbollistit francez Kylian Mbappé.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, senatorja ka publikuar mesazhe në platformën X që kanë shkaktuar reagime të menjëhershme dhe dënime të gjera në opinionin publik.
Në postimet e saj që kanë ndezur rrjetin dhe kanë sjellë reagime mbarëbotërore, senatorja nuk ka kursyer asgjë, duke përdorur terma të turpshëm: “Kjo egërsirë as nuk ka mësuar të shkruajë. Në vend të qumështit të nënës, ai ka thithur arrë kokosi, dhe qeniet më të arsimuara që ka dëgjuar ndonjëherë kanë qenë shimpanzetë. Duhet t’i kishe treguar gishtin e mesit, Orlando Gill (portieri i Paraguait). Unë e bëj në Senat dhe nuk ndodh asgjë!”.
Sikur të mos mjaftonte kjo, politikania paraguaiane vazhdoi me një tjetër postim akoma më të rëndë: “Një kamerunas i kolonizuar, që shtiret si francez, i mbushur me mllef, i pasuruar rishtazi, arrogant dhe i shëmtuar. Ishte nervoz dhe i tmerruar gjatë gjithë ndeshjes, si e gjithë skuadra e tij. Nuk arritën dot të shënonin asnjë gol, fituan vetëm nga fati… E vetmja gjë që shumë prej nesh i vënë në dukje ‘Albirroja-s’ (kombëtares paraguaiane) është që nuk i dhanë një shpullë të mirë në fytyrë në fund të ndeshjes. Dhe unë as nuk jam tifoze futbolli.”
Deklaratat e saj, të shpërndara gjerësisht online, janë kritikuar për gjuhë të papranueshme dhe për komente që lidhen me origjinën dhe pamjen e futbollistit. Ngjarja ka marrë jehonë të madhe në mediat ndërkombëtare, duke u cilësuar si një rast i rëndë i gjuhës së urrejtjes nga një figurë publike.
Kylian Mbappé ka reaguar ndaj situatës duke dënuar ashpër komentet dhe duke theksuar se një gjuhë e tillë nuk ka vend as në sport dhe as në jetën publike.
“Zonja Celeste Amarilla, ju jeni një grua e përçmuar, e padenjë për detyrën tuaj. Ju nuk e përfaqësoni Paraguain, këtë vend që rrezatoi pasion dhe nder gjatë gjithë turneut. Përmes pakujdesisë dhe racizmit tuaj të hapur, e gjithë bota ka harruar tashmë rrugëtimin historik dhe përpjekjet e lojtarëve tuaj, për t’i hapur rrugë një gruaje të paaftë që shfaq imazhin më të keq të vendit të saj. Nuk do t’u lejoj kurrë njerëzve si ju lirinë për të përhapur urrejtjen dhe racizmin në të gjithë botën.”
Edhe autoritetet franceze të sportit kanë reaguar, duke i cilësuar deklaratat si të papranueshme dhe duke nënvizuar nevojën për masa kundër çdo forme racizmi dhe gjuhe urrejtjeje në hapësirat publike.
Skandali ka marrë përmasa diplomatike. Ministrja e Sportit e Francës, Marina Ferrari, ka reaguar me indinjatë të thellë në rrjetet sociale, duke dënuar gjuhën e urrejtjes të përdorur nga një zyrtare shteti: “Këto komente janë të neveritshme, të turpshme dhe aq më tepër të papranueshme sepse vijnë nga një figurë politike. Duke sulmuar Kylian Mbappé, ajo po sulmon gjithçka që mishëron kapiteni ynë dhe gjithçka për të cilën përfaqëson vendi ynë: lirinë, barazinë dhe vëllazërinë.”
Ngjarja ka hapur debat të gjerë mbi përgjegjësinë e figurave politike në rrjetet sociale dhe kufijtë e komunikimit publik në rastet me ndjeshmëri të lartë.


