Festivali ndërkombëtar DOA (Durrës Opera Art of Singing) ka përmbyllur me sukses edicionin e tij të dytë me koncertin përmbyllës “Grand Opera Gala”, duke sjellë në Durrës katër ditë të mbushura me masterclass, performanca artistike dhe aktivitete kushtuar operës.
Në këtë edicion morën pjesë 21 solistë të rinj nga 11 vende të ndryshme, të cilët konkurruan përballë një jurie ndërkombëtare të përbërë nga emra të njohur të skenës operistike, mes tyre sopranoja Inva Mula, pianisti dhe pedagogu Richard Barker, si edhe artistë e drejtues institucionesh prestigjioze të muzikës klasike.
Me vendim unanim të jurisë, çmimi i parë iu akordua baritonit Mahir Taghizade nga Azerbajxhani. Çmimi i dytë u nda mes mezzo-sopranos franceze Seraphine Cotrez dhe sopranos shqiptare Blerta Zhegu, e cila u vlerësua gjithashtu me Çmimin e Publikut dhe çmimin “Aleksandër Moisiu”. Ndërkohë, çmimi i tretë shkoi për baritonin ukrainas Viktor Yankovskyi.
Sipas jurisë, niveli artistik i pjesëmarrësve ishte veçanërisht i lartë, çka e bëri procesin e përzgjedhjes së fituesve mjaft sfidues.
Ideatori dhe drejtori artistik i festivalit, baritoni shqiptar me karrierë ndërkombëtare Gëzim Myshketa, e cilësoi këtë edicion një tjetër hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të DOA si një festival i përvitshëm me profil ndërkombëtar.
“Ëndrra ime është që Durrësi të ketë një festival veror të përvitshëm dhe të shndërrohet në një pikë referimi për operën në rajon”, u shpreh Myshketa.
Përmes pjesëmarrjes së artistëve, pedagogëve dhe menaxherëve të njohur nga vende të ndryshme, festivali DOA synon të forcojë rolin e Durrësit si një qendër e rëndësishme për formimin e talenteve të rinj të operës dhe si një destinacion në rritje për artin lirik në Evropën Juglindore.


