Autoritetet serbe kanë arrestuar Lulzim Halilin, një qytetar 59-vjeçar nga Peja, në qytetin Svilajnac të Serbisë. Sipas mediave serbe, Halili dyshohet se ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe akuzohet për “krime kundër njerëzimit dhe krime lufte” gjatë luftës në Kosovë.
Zyra e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi i ka caktuar atij masën e ndalimit për 48 orë. “Ai u arrestua për shkak të dyshimeve se ka kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në territorin e Kosovës”, citojnë mediat vendase.
Ky arrestim ndodh vetëm pak ditë pasi autoritetet e Kosovës ndaluan zyrtarin serb Igor Popoviq për gjuhë fyese ndaj UÇK-së, çka ka ngritur tensionet mes dy vendeve.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë për media, i ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin kalimin nëpër Serbi, veçanërisht mërgimtarëve që kthehen për pushime, duke përmendur rrezikun për sigurinë e tyre.
UÇK-ja ishte një forcë ushtarako-politike që veproi gjatë luftës së viteve 1998–1999 për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb. Gjatë konfliktit, mbi 13.000 civilë u vranë dhe rreth 1.600 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur.
Kurti theksoi gjithashtu se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë, ndërsa hetimet dhe ndjekjet penale për krime lufte vazhdojnë të mbeten një çështje e ndjeshme në marrëdhëniet mes dy vendeve.


