Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka konfirmuar arrestimin në Serbi të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenaj, nga fshati Romajë i Prizrenit.
Sipas Sylës, Qenaj – i cili ka shërbyer në brigadën 138 “Agim Ramadani” – është ndaluar gjatë kalimit të kufirit me Serbinë, ku dyshohet se autoritetet serbe i kanë gjetur kartelën e veteranit gjatë kontrollit. Ai kishte kaluar disa herë më parë nëpër Serbi pa asnjë problem.
Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi se ka arrestuar një person me inicialet A.Q., të cilin e dyshon për “organizim dhe nxitje të kryerjes së gjenocidit dhe krimeve të luftës”. Sipas tyre, i dyshuari dyshohet se iu bashkua shtabit lokal të UÇK-së në Prizren në prill 1998 dhe mori pjesë në betejat e vitit 1999 në Koshare si anëtar i brigadës “Agim Ramadani”.
Qenajt i është caktuar masë ndalimi 48-orësh, dhe MPB e Serbisë ka paralajmëruar dorëzimin e kallëzimit penal në prokurori.
Institucionet e Kosovës ende nuk kanë reaguar. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga MPJD.
Rastet e arrestimeve të qytetarëve të Kosovës në Serbi janë shtuar vitet e fundit, me pretendime të përsëritura të Beogradit për krime lufte nga ish-pjesëtarë të UÇK-së. Në korrik, autoritetet serbe arrestuan edhe Lulzim Halilin, megjithëse OVL-UÇK deklaroi se ai nuk figuron në listën e veteranëve apo të pjesëmarrësve të betejës së Koshares.
Beteja e Koshares mbetet një nga përplasjet më të rëndësishme të vitit 1999, me domethënie të veçantë historike për Kosovën dhe Serbinë.


