Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka propozuar datën 7 qershor si opsionin më të mundshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, pas një takimi me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, theksoi se organizimi i zgjedhjeve kërkon kohë dhe përgatitje të konsiderueshme.
Ai bëri të ditur se dy datat e mundshme janë 31 maji dhe 7 qershori, por sipas vlerësimit të KQZ-së, më e përshtatshme është data e dytë. Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon presidentes në detyrë.
Radoniqi shtoi gjithashtu se çështja e buxhetit për zgjedhjet nuk është diskutuar ende, por pritet të jetë e ngjashme me atë të proceseve të mëparshme zgjedhore.
Zgjedhjet e parakohshme vijnë në një moment krize politike, pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë një president të ri brenda afatit të përcaktuar.
Mandati i Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit, ndërsa përpjekjet për zgjedhjen e pasuesit të saj dështuan për shkak të mungesës së marrëveshjes mes kryeministrit Albin Kurti dhe partive opozitare.


