Në kuadër të Samitit të katërt të Diasporës, të mbajtur në Pallatin e Kongreseve, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekoruar disa personalitete të diasporës shqiptare për kontributin e tyre në fusha të ndryshme.
Mes të nderuarve ishte edhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana, i cili u dekorua me “Urdhrin e Skënderbeut”. Gjatë fjalës së tij, Cana u shpreh se ka punuar gjithmonë për të mbajtur lart krenarinë dhe nderin e shqiptarëve, duke e cilësuar vlerësimin një moment të veçantë dhe emocionues.
“Çdo herë që jemi pranë njerëzve tanë të suksesshëm, ndihet diçka e veçantë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një urdhër dhe një mirënjohje. Kjo është një krenari që nuk e pranoj vetëm në emrin tim, por edhe në emër të familjes sime dhe gjithë rrënjëve që më kanë frymëzuar,” u shpreh Cana.
Gjatë ceremonisë u nderuan edhe personalitete të tjera të diasporës, përfshirë Gentian Toshkëzin me titullin “Kalorës i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, Klarita Gërxhanin dhe Shqiponjë Telhajn me “Kalorës të Urdhrit të Lisit Akademik”, si dhe Markus Schuhmann dhe Andres Lindberg me titullin “Oficer i Urdhrit të Skënderbeut”.


