Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj akuzave që e lidhin me persona të denoncuar prej tij më parë, duke i cilësuar si të fabrikuara dhe të motivuara politikisht. Sipas Salianjit, qëllimi i këtyre akuzave është ta ndalojnë nga përballja elektorale me kundërshtarët e tij brenda partisë.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Salianji mohoi kategorikisht çdo kontakt me Suel Çelën dhe të tjerë persona të përmendur, duke i quajtur akuza të imagjinuara dhe shenjë të “mjerimit politik” brenda PD-së. Ai theksoi se forca e tij qëndron te mbështetja e demokratëve dhe takimet direkte me strukturat vitale të partisë, të cilat sipas tij kanë qenë të pranishme në Elbasan gjatë aktivitetit të tij.
Salianji akuzoi drejtuesit aktualë të PD-së se, në vend që të japin llogari për humbjet dhe paaftësitë e partisë, përbaltin demokratët kritikë. Ai listoi problemet kryesore që sipas tij po e dëmtojnë PD-në: humbje të njëpasnjëshme zgjedhjesh, mosmbajtje të premtimeve, promovim të personave që nuk kanë rezultate, dhe paaftësi për të sfiduar qeverinë e aktuale të cilën e konsideron të zhytur në korrupsion.
Ish-deputeti e përmbylli reagimin duke deklaruar se do të vazhdojë rrugën e tij politike: takimet me demokratët, punën ballë për ballë dhe mbështetjen e qytetarëve për të siguruar rotacionin dhe rinovimin brenda partisë.
Postimi i Salianjit:
E vetmja mënyrë që Edi Rama gjeti për të më ndalur nga përballja me ta në zgjedhje ishin akuzat e fabrikuara, në betejën time kundër një prej grupeve mafioze më të fuqishme në vend. Sepse në garë dhe me garë unë i mund! Këtë e kam treguar në Korçë, në Kavajë, në parti dhe kudo: forca ime e vetme janë, personaliteti, vullneti im dhe mbështetja e njerëzve.
Në Elbasan ishte e gjithë struktura vitale e Partisë Demokratike. Akuzat imagjinare, siç ndodh rëndom me armiqtë imagjinarë të qëmotit, se unë paskam takuar ata që i kam denoncuar prej vitesh, duke filluar nga Suel Çela, janë një dëshmi e mjerimit politik. Veçanërisht kur dihet se shumëkush tjetër e ka pasur në krah dhe e ka përdorur për interesa të veta.
Por ç’rëndësi ka kjo. Në kushte të një demokracie dhe jo autokracie do shkoja në gjykatë të përballja çdo shpifës. Por në kushtet e një përballje për shkak se dua që Partia Demokratike të jetë fituese dhe disa rrogëtarë kanë frikën e humbjes së pushtetit e të pazareve po reagoj publikisht një herë, e më pas siç kam bërë çdo herë, do shkoj në vendngjarjet e krimit, korrupsionit dhe bashkëpunëtorëve të tyre në pazare!
Shoqëria dhe demokratët po e bërtasin me të madhe se kanë nevojë të dëgjojnë zgjidhje reale:
– për humbjet e njëpasnjëshme,
– për mosmbajtjen e fjalës,
– për degradimin e debatit në akuza të pavërteta,
– për promovimin e humbësve serialë,
– për cimentimin në karrige e pushtet pa mbështetje,
– për atrofizimin e partisë,
– për pafuqinë për të rrëzuar një qeveri të kalbur nga korrupsioni në çdo hallkë,
– për pafuqinë për të nxjerrë qytetarët në protesta
– për pamundësinë për ta bërë Partinë Demokratike fituese.
Në vend të kesaj drejtuesit që duhet të japin llogari, kërkojnë llogari dhe përbaltin demokratët!
Sa më përket mua, unë nuk kam emëruar, as komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to, nën breshërinë e plumbave me kriminelë ndër më të rrezikshmit! Kjo është vijë e kuqe dhe dëmtim i kartës morale të opozitës!
Kam vazhduar dhe do të vazhdoj në rrugën e duhur: takimet me demokratët, ballë për ballë, me lirinë time dhe të vërtetën, pa ndalim. Demokratët dhe populli opozitar meritojnë rotacion.


