Ish-deputeti Ervin Salianji reagoi pas ngjarjes së rëndë kriminale që ndodhi mëngjesin e sotëm në Shkodër, ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën.
Salianji thekson se ngjarja tregon nevojën urgjente për një drejtësi të vërtetë, që garanton siguri dhe barazi para ligjit për të gjithë qytetarët.
Ai denoncon se autori i krimit ishte një person me precedentë penal për lëndë narkotike, i cili kishte bërë vetëm një vit burg, pavarësisht se ishte denoncuar për kërcënim vrasjeje dhe u kap me 1.3 kg drogë, jelek antiplumb, maska silikoni dhe foto me armë në rrjete sociale.
“Ngjarja tragjike e sotme është pasojë e një sistemi drejtësie që prodhon padrejtësi. Kriminelë të rrezikshëm lirohen, ndërsa qytetarë të pafajshëm dënohen për gjëra të vogla apo vetëm se nuk kanë fuqi politike,” shkruan Salianji, duke u shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe dëshirë për shërim të shpejtë për të plagosurit.
Ai përfundon: “Kjo është fytyra e një qeverisjeje me drejtësi të kapur, që nuk mbron jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Shqipëria ka nevojë urgjente për një drejtësi të vërtetë, që të garantojë siguri dhe barazi para ligjit për të gjithë”.


