Rritja e pagave për Njësitë Administrative dhe Lagjet e Bashkisë së Tiranës, e miratuar me vendimin e fundit të Këshillit Bashkiak dhe me efekte nga 1 janari 2026, sjell një rritje të përgjithshme në të gjitha nivelet, krahasuar me pagat e vitit 2024.
Në krye të strukturës, paga për administratorët është rritur në të gjitha kategoritë e njësive. Për njësitë me mbi 50 mijë banorë, paga kalon nga 180,000 lekë në 184,500 lekë (+2.5%). Për njësitë me 20–50 mijë banorë, nga 155,000 lekë në 158,875 lekë (+2.5%). Për njësitë me 5–20 mijë banorë, nga 145,000 lekë në 148,625 lekë (+2.5%), ndërsa për njësitë me më pak se 5 mijë banorë, nga 140,000 lekë në 143,500 lekë (+2.5%).
Edhe për nivelet e mesme vërehet rritje. Paga për përgjegjësit e sektorëve në njësitë më të mëdha rritet nga 90,000 lekë në 98,000 lekë (+8.9%), ndërsa në njësitë më të vogla nga 80,000 lekë në 88,000 lekë (+10%). Përgjegjësit e zyrave dhe specialistët e nivelit IV-1 rriten nga 75,000 lekë në 85,000 lekë (+13.3%), ndërsa specialistët IV-2 nga 65,000 lekë në 75,000 lekë (+15.4%) dhe specialistët IV-3 nga 60,000 lekë në 70,000 lekë (+16.7%). Në njësitë më të vogla, specialistët IV-3 rriten nga 58,000 në 68,000 lekë (+17.2%).
Rritja është më e dukshme te punonjësit administrativë. Paga bazë për topografët dhe punonjësit e bibliotekës rritet nga 47,000 lekë në 57,000 lekë (+21.3%), për arkivistët/protokollistët nga 46,000 në 56,500 lekë (+22.8%), për magazinierët nga 45,000 në 56,000 lekë (+24.4%), për shoferët nga 44,000 në 55,500 lekë (+26.1%), për punëtorët e shërbimit nga 42,000 në 54,500 lekë (+29.8%) dhe për pastruesit/rojet nga 41,000 në 54,000 lekë (+31.7%).
Po kështu, ndryshon mënyra e llogaritjes së shtesës për vjetërsi në punë për lidhjet nr. 1–4. Në vitin 2024, kjo shtesë llogaritej mbi pagën e grupit, që ishte një bazë më e ulët. Me skemën e re, ajo llogaritet mbi pagën e pozicionit, duke rritur ndjeshëm përfitimin real për punonjësit.
Formula e re është progresive: 0.6% për vit për 10 vitet e para, 0.8% për 10 vitet e dyta dhe 1% për vitet pasuese.
Për punonjësit administrative, formula mbetet 1% për çdo vit pune deri në 25 vite mbi pagën bazë, por për shkak të rritjes së pagave bazë, rritet automatikisht edhe përfitimi nga vjetërsia. /ekofin.al



