Dy drejtues mjetesh lundruese janë ndëshkuar nga Policia pas konstatimit të shkeljeve të rregullave të sigurisë në zonat e plazhit në qarkun e Vlorës dhe Fierit.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, kanë evidentuar një mjet lundrues tip Jet Ski që lëvizte pranë bregut në plazhin e Semanit, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi E. D., është ndëshkuar me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues është bllokuar administrativisht.
Gjatë kontrolleve dhe patrullimeve në zonën bregdetare, policia ka konstatuar gjithashtu një gomone që lëvizte në mënyrë të parregullt pranë pushuesve, në zonën e quajtur “Plazhi i Hidrovorit”.
Mjeti drejtohej nga shtetasi austriak J. H., për të cilin nga verifikimet rezultoi se nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm për mjetin lundrues.
Për shkeljet e konstatuara, ndaj tij është vendosur një gjobë prej 510 mijë lekësh të rinj, si dhe është bërë bllokimi administrativ i mjetit.
Policia e Shtetit ka apeluar ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë në këtë fushë që të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë në plazhe, duke paralajmëruar masa të menjëhershme ndaj çdo shkeljeje që rrezikon jetën e pushuesve.


