Gjykata e Fierit ka caktuar masat e sigurisë për tre të mitura të dyshuara për përfshirje në ngjarjen e dhunës ndaj një minoreneje, pamjet e së cilës u publikuan në rrjetet sociale.
Me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, gjykata ka vendosur masën “Arrest me burg” për shtetasen L.L., “Arrest në shtëpi” për të miturën K.G., ndërsa për të miturën M.R., e cila është në konflikt me ligjin, është caktuar masa “Shtrim i përkohshëm në një institucion psikiatrik”.
Sipas Prokurorisë, tre të dyshuarat po hetohen për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim.
Vendimi për masat e sigurisë është marrë në kuadër të procedimit penal nr. 1094 të vitit 2026, që lidhet me rastin e dhunës ndaj një të miture, i cili u bë publik pas shpërndarjes së pamjeve në platformat online.
Organi i akuzës bën me dije se gjatë hetimeve janë identifikuar personat e dyshuar të përfshirë në ngjarje dhe janë kryer veprime procedurale që kanë ngritur dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprës penale.
Sipas Prokurorisë, rrethanat e evidentuara deri në këtë fazë të hetimit kanë bërë të nevojshme vendosjen e masave të sigurimit personal ndaj personave nën hetim.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Fierit u ka bërë thirrje qytetarëve, administratorëve të faqeve në rrjetet sociale dhe subjekteve mediatike që të shmangin publikimin, shpërndarjen apo ripublikimin e pamjeve dhe të dhënave që mund të çojnë në identifikimin e të miturve të përfshirë në këtë ngjarje.
Prokuroria ka theksuar se do të vijojë të informojë publikun për zhvillimet e mëtejshme të çështjes, në respektim të sekretit hetimor, privatësisë dhe të drejtave të të miturve.


