Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me valën e vlerësimeve negative të publikuara në platformat online ndaj bizneseve shqiptare, duke përmendur edhe rastin e Kalasë së Rozafës në Shkodër.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ngritur shqetësimin se, përveç bizneseve të sektorit të turizmit, janë publikuar gjithashtu komente dhe vlerësime negative ndaj një prej monumenteve më të njohura të trashëgimisë kulturore në vend.
“Po me Kalanë e Rozafës çfarë keni o patriota apo ta shkatërrojmë sa të mundemi turizmin, se duhet t’i përzëmë të huajt dhe të kthehemi tek koha kur hanim njëri-tjetrin?”, shkroi Rama.
Kryeministri bëri thirrje që institucionet e drejtësisë të ndërhyjnë ndaj personave që, sipas tij, po dëmtojnë pronën publike dhe private përmes veprimeve të organizuara në internet.
Reagimi vjen pas debatit të krijuar në ditët e fundit për një seri vlerësimesh negative në platformat online ndaj bizneseve të mikpritjes në Shqipëri, të cilat Rama i ka cilësuar si një sulm të motivuar politikisht ndaj sektorit të turizmit.
Deri tani, autoritetet dhe platformat online vijojnë verifikimet për origjinën dhe organizimin e këtyre vlerësimeve.


