Reshjet intensive të shiut kanë rënduar ndjeshëm situatën në fshatin Sheqeras të Maliqit, ku rreziku i përmbytjes është rritur ndjeshëm. Argjinatura e lumit dytësor, që sjell prurje nga Ormani dhe Pojani, raportohet se mund të çahet për shkak të volumit të madh të ujit.
Prurjet e fuqishme kanë krijuar probleme për qindra banorë, teksa disa toka bujqësore janë tashmë nën ujë. Banorët njoftojnë gjithashtu se uji ka hyrë në oborret e disa shtëpive brenda fshatit.
Në terren ndodhen kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, forcat e Policisë së Shtetit, skuadrat e emergjencave civile dhe zjarrfikësja, të cilat po monitorojnë situatën dhe po përpiqen të parandalojnë përkeqësimin e saj.


