Japonia po përjeton vitin më të errët në historinë e saj për sa i përket sulmeve të arinjve. Vetëm dje, një person humbi jetën dhe katër të tjerë u plagosën në dy incidente të ndara, duke e çuar numrin e viktimave në dhjetë – më shumë se çdo vit tjetër i regjistruar më parë.
Në rajonin verior të Akitës, një ari sulmoi katër persona në një zonë malore; njëri prej tyre vdiq, ndërsa tre po trajtohen në spital. Dy prej të plagosurve po punonin në arë në momentin e sulmit, ndërsa dy të tjerë u goditën teksa përpiqeshin t’i ndihmonin. Më vonë, një gjuetar lokal qëlloi për vdekje një ari në afërsi të vendngjarjes, por autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar nëse bëhet fjalë për të njëjtën kafshë.
Në të njëjtën ditë, një grua e moshuar u plagos në një incident tjetër në rajonin qendror të Toyamës.
Përballë rritjes së këtyre sulmeve, të cilat autoritetet i kanë cilësuar “problem serioz”, ministri japonez i mjedisit ka premtuar masa të reja, përfshirë rritjen e numrit dhe trajnimin e gjuetarëve shtetërorë, si dhe kontroll më të mirë të popullatës së arinjve.
Ekspertët thonë se arinjtë po afrohen gjithnjë e më shumë me zonat e banuara për shkak të ndryshimeve klimatike, që kanë ndikuar në burimet e tyre të ushqimit, por edhe për shkak të shpopullimit të zonave rurale – duke u dhënë atyre hapësira të reja për t’u zgjeruar.
Sulmet janë bërë tashmë të zakonshme pranë shkollave, parqeve dhe madje edhe në dyqane. Japonia ka dy lloje arinjsh: ariun e zi aziatik, të njohur si “ariu i hënës”, dhe ariun e kafe të Hokkaidos – dhe megjithëse mijëra prej tyre qëllohen çdo vit, kërcënimi ndaj njerëzve po rritet me ritme shqetësuese.


