Gjatë një takimi në Shkodër me rastin e 35-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe për protestat kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit në Vlorë.
Rama u shpreh se kundërshtimet ndaj projekteve të qeverisë shpesh shoqërohen me qëndrime që, sipas tij, nuk reflektojnë realitetin e transformimeve të bëra në vend. Ai theksoi se “shumica sheh edhe atë që të tjerët nuk duan ta shohin”, duke iu referuar investimeve në qytete, zona rurale dhe në infrastrukturë.
“Është kollaj të flasësh për flamurin, është edhe më kollaj të marrësh një flamur e ta lidhësh në qafë për të bërë patriotin, por nuk është patriotizëm të përdorësh simbolin për të sulmuar ata që nuk mendojnë si ti”, tha ai.
Duke iu referuar kritikëve të projektit në Zvërnec, Rama u shpreh se debati publik shpesh karakterizohet nga, siç tha ai, mungesë përgjegjësie për deklaratat që bëhen dhe nga përdorimi i temave të ndjeshme për qëllime politike.
“Papritur të gjithë u bënë ambientalistë dhe po kërkojnë shpëtimin e Shqipërisë. Ku ishin këta kur në Shqipëri kërciste gjuetia ilegale, kur vriteshin zogj e kafshë të mbrojtura, kur ishte në fuqi ligji i importit të plehrave?”, deklaroi ai.
Kryeministri shtoi gjithashtu se, sipas tij, në të kaluarën pyjet janë dëmtuar rëndë nga prerjet e paligjshme, duke thënë se “në pyje dëgjohej vetëm sharra elektrike”.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur projekti në Zvërnec ka ngjallur reagime dhe protesta nga grupe ambientaliste dhe qytetarë që shprehin shqetësim për ndikimin në zonën e mbrojtur.


