Kryeministri Edi Rama ka qenë pjesë e panelit të hapur në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, ku diskutoi zgjerimin e Bashkimi Evropian dhe sfidat e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë këtij eventi, Rama nuk ka hezituar të japë komente të drejtpërdrejta, por dhe batuta për procesin e integrimit dhe politikat e BE-së.
Përgjatë diskutimit mbi zgjerimin e BE-së, Rama u rikujtoi homologëve të tij se gjatë takimeve të mëparshme në Pragë, ka kërkuar që të mos përdorej një qasje shumë rigoroze ndaj vendeve të Ballkanit.
“Ua kam thënë pak ditë më parë në Pragë, kur fton njerëz nga Ballkani, mos vini më kronometra sepse është shumë gjermane dhe nuk më pëlqen. E kanë vendosur sllovenët, por edhe ata janë pak gjermanë,” u shpreh Rama, duke i dhënë një ton më të lehtë diskutimeve.
“Ishte Putini që iu desh të sulmonte një vend për të ndihmuar BE-në të kuptojë që jeton në një botë paralele,” shtoi më tej kryeministri.
Rama gjithashtu ka përmendur angazhimin e BE-së për të adresuar këtë çështje, duke bërë një krahasim me premtimet e bëra nga Ursula von der Leyen një vit më parë në Bled.
“Një vit më parë në Bled, Von der Leyen premtoi planin e ri të rritjes, i cili është në rrugën e duhur. Na duhet të kryejmë gjithë punën neurotike,” përfundon Rama, duke sugjeruar se ka ende shumë punë për të bërë për të arritur integrimin e plotë në BE.


