Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se kompozitori suedez Ludwig Göransson, fitues i çmimit Oscar, ka vizituar jugun e Shqipërisë për t’u njohur nga afër me pasurinë e muzikës tradicionale shqiptare, e cila, sipas tij, ka shërbyer si burim frymëzimi për kolonën zanore të filmit të ri të Christopher Nolan, “The Odyssey”.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se Göransson ka eksploruar nga afër iso-polifoninë shqiptare, e cila është pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, si edhe tingujt karakteristikë të fyellit dyjar.
Sipas kryeministrit, këto elemente të muzikës tradicionale shqiptare janë bërë pjesë e frymëzimit artistik për një nga produksionet më të mëdha të Hollywood-it, ku interpretojnë disa prej emrave më të njohur të kinemasë botërore.
“Shqipëria dhe vlerat e saj vazhdojnë të frymëzojnë deri në produksionet më të mëdha të Hollivudit”, shkroi Rama, duke e cilësuar këtë një moment krenarie për kulturën dhe trashëgiminë shqiptare.
Vizita e Ludwig Göransson në jug të vendit dhe interesi i tij për iso-polifoninë shqiptare kanë rikthyer në vëmendje ndërkombëtare një prej pasurive më të veçanta kulturore të Shqipërisë, duke dëshmuar se tradita muzikore shqiptare vijon të frymëzojë artistë me famë botërore.


