Kryeministri Edi Rama ka ironizuar deklaratat e ish-ministres Elisa Spiropali për nevojën e një “marrëveshjeje të re për Shqipërinë”, duke lënë të kuptohet se e sheh këtë nismë si të paqartë dhe pa përmbajtje konkrete.
Gjatë fjalës së tij pas mbledhjes së grupit parlamentar, Rama u shpreh se ka “disa shpirtra të humbur” brenda Partisë Socialiste që flasin për një Shqipëri të re dhe tha se pret me interes një projekt të shkruar.
“Është edhe një thirrje për një Shqipëri të re dhe ka disa shpirtra të humbur në partinë tonë që duan një Shqipëri të re. Mezi pres që të na e sjellin draftin e Shqipërisë së re të shkruar. Por kam frikë se nuk do vijë kurrë”, deklaroi Rama.
Kryeministri përdori gjithashtu ironi duke krahasuar idenë e “Shqipërisë së re” me një slogan abstrakt, duke përmendur edhe analistin Fatos Lubonja në komentin e tij.
Deklaratat e Ramës vijnë pak ditë pasi Spiropali publikoi një reflektim të gjatë në rrjetet sociale, ku argumentonte se vendi ka nevojë për një marrëveshje të re politike dhe institucionale. Sipas saj, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku sfida kryesore nuk është më ndërtimi i shtetit, por forcimi i institucioneve, balancimi i pushteteve dhe rritja e llogaridhënies.
Në vizionin e saj, parlamenti duhet të jetë më shumë se një institucion që miraton vendime, duke u kthyer në një hapësirë ku dëgjohet zëri i shoqërisë. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e një sistemi më të fortë kontrolli ndaj pushtetit, pavarësisë së drejtësisë, lirisë së medias, meritokracisë dhe reformimit të sistemit zgjedhor.
Debati mes Ramës dhe Spiropalit ka tërhequr vëmendje në skenën politike, pasi vjen në një moment kur brenda së majtës po diskutohen publikisht çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve, raportin mes pushtetit dhe kontrollit demokratik, si dhe drejtimin e ardhshëm të vendit.


