Një vatër e madhe zjarri është regjistruar këtë të shtunë në zonën e Karaburun, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe bimësi në shpatet e gadishullit.
Sipas pamjeve nga zona, flakët janë përhapur me shpejtësi, ndërsa re të dendura tymi kanë mbuluar një pjesë të vijës bregdetare, duke qenë të dukshme edhe nga deti. Situata ka tërhequr vëmendjen e pushuesve dhe banorëve, të cilët kanë raportuar për përhapjen e tymit në një zonë të gjerë.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi përmasat e dëmeve apo sipërfaqen e saktë të përfshirë nga zjarri. Gjithashtu, nuk raportohet për rrezik ndaj banesave apo personave.
Autoritetet pritet të bëjnë një vlerësim të situatës, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar shkaku i rënies së zjarrit dhe shkalla e dëmit të shkaktuar në zonën e prekur.
Karaburuni është një nga zonat me rëndësi të veçantë natyrore dhe turistike në vend, ndaj çdo vatër zjarri në këtë territor konsiderohet shqetësuese për ekosistemin dhe mjedisin përreth.


