Kryeministri Edi Rama dënoi sot sulmin e Iranit ndaj Azerbajxhanit, duke e cilësuar si një akt të rëndë dhe të papranueshëm agresioni ndaj një vendi fqinj. Në një postim në X, Rama theksoi se infrastruktura civile në rajonin e Nahçivanit u sulmua dhe civilë u plagosën, duke e quajtur këtë një shembull të regjimit “satanik” të Teheranit.
Ai përforcoi se Azerbajxhani, aleat dhe mik i çmuar i Shqipërisë, meriton respekt, siguri dhe liri nga frika. “Çdo përpjekje për të terrorizuar popullsinë civile ose për të destabilizuar fqinjët paqedashës duhet dënuar dhe shërben si arsye për ta izoluar plotësisht regjimin iranian”, shkroi Rama.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se kufijtë sovranë dhe infrastruktura civile nuk duhet të shkelet pa pasoja, duke e quajtur Iranin një Shtet Terrorist për sjelljen e tij agresive. Shqipëria qëndron e palëkundur pranë Azerbajxhanit dhe udhëheqjes së tij, ndërsa agresorët duhet të përballen me unitetin e atyre që zgjedhin paqen.
Postimi i Ramës në X:
Sulmi i nisur ndaj territorit të Azerbaijan, duke goditur infrastrukturën civile në rajonin e Naxhçivanit dhe duke lënduar qytetarë, është një akt tjetër i rëndë dhe i papranueshëm agresioni nga Republika Khomeiniste e Iranit ndaj vendeve fqinje, të cilat kanë vetëm “gabimin” se shkëlqejnë në skenën botërore përmes zhvillimit, prosperitetit dhe hapjes, duke përmirësuar jetën e popujve të tyre çdo ditë dhe duke e bërë Iranin të duket edhe më i errët dhe më i verbër nën regjimin e tij satanik.
Azerbajxhani është një mik dhe aleat i çmuar i Shqipërisë, një vend që ka ngrihë lart që nga rikthimi i pavarësisë pas Bashkimit Sovjetik. Pavarësia e tij kombëtare, qëndrueshmëria dhe angazhimi për zhvillim, së bashku me gatishmërinë për moderim dhe krahun e hapur për bashkëpunim me të gjithë, i kanë fituar respektin e shumë vendeve në botë.
Populli azerbajxhanas, si edhe popujt e vendeve të tjera që janë sulmuar pa kuptim në ditët e fundit, meritojnë vetëm respekt, siguri dhe liri nga intimidimi. Çdo përpjekje e regjimit të keq të Teheranit për të terrorizuar popullsinë civile ose për të destabilizuar vendet fqinje të paqes për t’i provokuar kundër SHBA-së dhe përgjigjes së drejtë të Izraelit ndaj Republikës Khomeiniste, jo vetëm duhet të dënohet qartë, por duhet të shërbejë edhe si një arsye tjetër për të izoluar plotësisht atë regjim nga çdo pjesë e botës.
Kur goditet infrastruktura civile e vendeve të tjera dhe shkelet sovraniteti i tyre, vija mes agresionit dhe terrorizmit zhduket. Kjo është arsyeja pse ka ardhur koha që të gjitha shtetet dhe institucionet që besojnë në stabilitet, në rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe në bashkëjetesë paqësore, jo vetëm të distancohen nga një regjim që shpërndan dhunë dhe intimidim jashtë kufijve të tij, por edhe të bien dakord se çfarë është me të vërtetë: një Shtet Terrorist.
Ne qëndrojmë fuqimisht pranë Azerbajxhanit, pranë udhëheqjes së tij të fortë dhe popullit të tij krenar. Rruga përpara duhet të jetë e qartë: agresori duhet të izolohen dhe agresorët të dënohen pa ekuivok. Ata që zgjedhin rrugën e dhunës, duhet të përballen me unitetin në rritje të atyre që zgjedhin paqen.


