Qeveria shqiptare ka hartuar për herë të parë një kuadër ligjor për veprimtarinë e lobimit, me qëllim vendosjen e rregullave të qarta për ndërveprimet mes zyrtarëve publikë dhe subjekteve private. Iniciativa është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka marrë për avancimin e negociatave me Bashkimin Evropian, në kuadër të Pozicionit të Përbashkët Negociues për Grupkapitullin “Themeloret”.
Projektligji “Për lobimin” synon të garantojë transparencë dhe gjurmueshmëri në proceset e vendimmarrjes, duke përfshirë ndërveprimet e bizneseve, organizatave të shoqërisë civile apo ekspertëve me institucionet publike.
Ky ligj parashikon:
Regjistrimin e çdo individi apo subjekti juridik që merret me lobim.
Deklarimin periodik të burimeve financiare dhe shpenzimeve, çdo gjashtë muaj.
Raportim të saktë dhe të rregullt mbi aktivitetet e lobimit dhe respektimin e kodeve etike.
Deklarimin e konfliktit të interesit, duke bërë lobimin një proces të ligjshëm dhe në shërbim të interesit publik.
Transparenca si armë kundër korrupsionit
Përmes regjistrit publik të lobimit, çdo kontakt, kontratë apo shpenzim do të jetë i deklaruar dhe i verifikueshëm, duke mundësuar gjurmimin e burimeve të ndikimit dhe interesave të përfaqësuara. Ligji vendos gjithashtu kufizime për ish-zyrtarët e lartë publikë pas përfundimit të funksionit të tyre dhe detyrimin e raportimit nga zyrtarët aktualë që zhvillojnë takime me lobistë.
Ky projektligj synon forcimin e integritetit publik dhe të besueshmërisë institucionale, duke përmirësuar standardet e qeverisjes së hapur dhe duke e afruar Shqipërinë me praktikat e GRECO-s dhe OECD-së.


