Qeveria ka miratuar 300 kuota për kredi të buta me normë interesi zero, të destinuara për punonjësit e administratës publike. Vendimi u bë i ditur nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së radhës së Këshillit të Ministrave.
Sipas Ibrahimajt, skema do të përfshijë punonjës të Policisë së Shtetit, Policisë së Burgjeve, mësues, mjekë dhe ushtarakë, të cilët do të kenë në dispozicion nga 70 kuota për secilën kategori.
“Morëm vendim për administratën publike, miratuam kuotat e rreth 300 kredive të buta me normë interesi zero. Policia e Shtetit, ajo e burgjeve, arsimtarët, mjekët dhe ushtarakët do të kenë nga 70 kuota,” deklaroi ministrja.
Gjatë mbledhjes, qeveria miratoi gjithashtu dy projektligje në kuadër të procesit të integrimit europian. Njëri prej tyre është projektligji për emetuesit e titujve, i cili është përafruar me direktivat e Bashkimit Europian.
Po ashtu, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, është miratuar një projektvendim që parashikon rritjen e masës së bursave për nxënësit e shkollave profesionale, si dhe financimin e ushqimit në këto institucione arsimore.


