Deklaratat e tij i janë drejtuar Flamur Nokës, por mesazhi ishte edhe për Berishën, pavarësisht se ai nuk ndodhej në mbledhje në ato momente.
Noka është shprehur kundër formulës së Primareve duke thënë se i ndan deputetët dhe politikanët “në ca të nënës e ca të njerkës’.
“Keni frikë nga lobimi i brendshëm”, dëgjohet Murrizi të thotë, teksa thekson se “jo të gjitha i di doktori”, por se pas zgjedhjeve të 11 majit, “Berisha o do jetë kryeministër po fituam, po nuk fituem, të gjitha mbi atë do bien e ju do ngrini duart do thoni nuk dimë gjë ne”.
Myslym Murrizi: Jam dakord me statutin për primaret, por duhet të jenë të hapura. Përderisa drejtuesit e degëve japin dorëheqjen, pse ndryshe do të duhet të ndodh për drejtuesit politik? Askush s’mund të na ndajë, në disa politikanë inferior e disa superior. Bëjini kombëtare primaret, është vrastare kjo formule. Aq më tepër më një votë. Mos keni frikë nga lobimi i brendshëm.
Unë do hyj në primaret e Tiranës dhe dua të jem në lista te hapura. Duhet te shihni dhe koalicionet. Ku është sot Shpëtim Idrizi? Duhet të ketë kujdes përzgjedhja e aleateve.


