Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian diskutoi sot draft-raportet për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën. Gjatë seancës u prezantuan draft-raportet ku thekohet se shteti i së drejtës mbetet një çështje delikate në këto vende. Ata bënë thirrje autoriteteve të krijojnë administratë publike më efikase.
Raportuesi i PE-së për Shqipërinë, Andreas Schieder vuri në dukje se vendi po përparon mirë në rrugën drejt BE-së, gjë e cila sipas tij u reflektua nga fakti se Klasteri 1 dhe Klasteri 6 u hapën vitin e kaluar. Sipas tij shumë sfida duhet të adresohen ende për të arritur objektivin ambicioz për të qenë gati për BE-në 2030.
Sipas Schieder, Shqipëria ka bërë një progres të rëndësishëm në shtetin e së drejtës dhe demokracinë, por ka sfida kryesore që vazhdojnë, duke përfshirë: polarizimin e brendshëm politik, reformat kundër korrupsionit, reformën zgjedhore, pavarësinë e medias dhe mbrojtjen e mjedisit.
“Kemi disa mesazhe kyçe në skenë. Një prej tyre është progresi i shpejtë i fundit i hapjes së Grup-kapitujve Themelore në tetor 2024 dhe Grup-kapitullit të Marrëdhënieve me Jashtë në dhjetor 2024 dhe plani i Shqipërisë për të hapur më tej kapituj në vijim gjatë vitit”, u shpreh fillimisht Schieder.
Ai shtoi se Shqipëria është një partner i besueshëm i politikës së jashtme, por megjithatë ka edhe sfida që vazhdojnë. Sipas tij duhet të forcohet shteti i së drejtës dhe gjithashtu konsolidimin e reformave kundër korrupsionit. Schieder shtoi se për reformat zgjedhore, duhet të adresohen dhe zbatohen gjithashtu rekomandimet e OSBE/ODIHR-it si dhe duhet bërë më shumë progres për pavarësinë e medias.
“Progres i mirë është bërë në zbatimin e Reformës në Drejtësi, duke përfshirë procesin e Vettingut dhe ecurinë në rritje të SPAK-ut”, theksoi Schieder.


