Shirel Golan, 22-vjeçarja izraelite e cila i mbijetoi sulmit tragjik të Hamasit gjatë festivalit muzikor Supernova më 7 tetor 2023, nuk i rezistoi dot traumës që përjetoi dhe i dha fund jetës.
E reja mësohet se kishte vuajtur nga çrregullimi i stresit post-traumatik që nga dita e sulmit dhe ishte shtruar dy herë në spital për trajtim.
Familja e saj ka treguar se simptomat e stresit post-traumatik ishin evidente, me tërheqje nga shoqëria dhe izolim.
Vëllai i saj shprehu zhgënjim për mungesën e mbështetjes së duhur, duke theksuar se tragjedia mund të ishte shmangur nëse ajo do të kishte marrë ndihmën e nevojshme në kohë. Nga ana tjetër, Ministria e Mirëqenies dhe Shërbimeve Sociale deklaroi se Shirel ishte në trajtim edhe përpara ngjarjeve të 7 tetorit, dhe veçanërisht pas sulmit.


