Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një seri takimesh me strukturat e Policisë Rrugore në Tiranë dhe drejtues të sigurisë publike në qarqe, ku ka theksuar nevojën për një qasje të re në kontrollin e qarkullimit rrugor.
Ai kërkoi që automjetet të mos ndalohen më pa arsye në akset nacionale, duke nxitur përdorimin më të gjerë të teknologjisë si poliskanët, radarët e shpejtësisë dhe dronët. Sipas tij, këto mjete jo vetëm rrisin efikasitetin, por edhe shmangin abuzimet në terren. Gjithashtu, ai theksoi se çdo masë administrative e vendosur përmes teknologjisë duhet të regjistrohet në sistem brenda ditës.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe forcimi i kontrolleve në zonat urbane, sidomos për parkimet e gabuara, shkeljet që krijojnë trafik, zhurmat nga mjetet e modifikuara dhe drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit.
Hita vlerësoi reagimin e qytetarëve ndaj nismave të fundit, duke e cilësuar si një sinjal të qartë për përmirësimin e mënyrës së kontrollit nga Policia Rrugore.
Në prag të sezonit turistik dhe me rëndësi të veçantë për sigurinë pranë shkollave, ai kërkoi angazhim maksimal dhe bashkëpunim mes strukturave policore. Në fund, Drejtori i Përgjithshëm nënvizoi se sjellja profesionale dhe integriteti duhet të jenë në themel të punës së çdo efektivi, për të garantuar një shërbim sa më cilësor për qytetarët.


