Kreu i grupit parlamentar të SPD-së, Matthias Miersch, i tha Rrjetit Redaksional “Deutschland”, se Gjermania mban një përgjegjësi të veçantë për sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e shtetit hebre për të ekzistuar, por edhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe mbrojtjen e popullsisë civile palestineze. Miersch shtoi, se “standardet e dyfishta minojnë besueshmërinë tonë ndërkombëtare.”
Unioni CDU/CSU mbron vendimin për të mos iu bashkuar deklaratës së 28 vendeve
Zëdhënësi i politikës së jashtme i grupit parlamentar CDU/CSU, Jürgen Hardt, mbrojti vendimin për të mos nënshkruar deklaratën e 28 vendeve. “Ministri i Jashtëm Federal nuk e nënshkroi deklaratën sepse ajo vetëm përforcon atë që ndjehet si izolim i qeverisë izraelite”, tha Hardt për Frankfurter Allgemeine Zeitung. Ministri i Jashtëm Johann Wadephul po punon pa u lodhur për të përmirësuar situatën katastrofike në Gaza, duke përdorur të gjitha kanalet.
Megjithatë, Hardt shtoi se “duhet të jetë një shenjë për qeverinë izraelite që kaq shumë miq, dhe unë përfshij edhe SPD-në në këtë, po shprehin zhgënjimin e tyre për vdekjet në Gaza përmes sanksioneve, sepse ata nuk po dëgjohen më në Jeruzalem”. Nevojitet një qasje e besueshme e OKB-së për furnizimet me ndihmë në Rripin e Gazës, sipas Hardt.
Merz nuk sheh diferenca brenda koalicionit
Kancelari Friedrich Merz tha se koalicioni ishte “plotësisht i njësuar” në politikën e tij ndaj Izraelit dhe Rripit të Gazës. “Nuk ka dallime në qëndrime për këtë edhe si çështje edhe si mënyrë veprimi. Përkundrazi: Thirrja drejtuar qeverisë izraelite për t’i dhënë fund menjëherë këtyre bombardimeve masive të Rripit të Gazës dhe për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmës humanitare është politikë e përbashkët e koalicionit në Berlin”, tha kryetari i CDU-së.
Lidhur me kërkesën e 28 shteteve dhe Komisioneres së BE-së, Merz theksoi se ka ndërkohë një deklaratë të përbashkët nga samiti i fundit i BE-së. Kjo ishte “praktikisht identike në përmbajtje” me atë që u shpreh në deklaratën aktuale./DW


