Policia e Shtetit ka përditësuar informacionin zyrtar lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur rreth orës 15:00 në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia, duke saktësuar bilancin e viktimave dhe të të plagosurve.
Sipas njoftimit, ndryshe nga informacioni paraprak i bërë publik, nga aksidenti ka humbur jetën vetëm drejtuesi i autobusit, shtetasi me iniciale R. H., 36 vjeç, banues në zonën e Kombinatit në Tiranë.
Policia bën me dije se nga ngjarja janë plagosur 12 pasagjerë të autobusit dhe jo 15, siç u raportua fillimisht. Prej tyre, shtatë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa pesë të tjerë kanë marrë lëndime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Sipas autoriteteve, konfuzioni në raportimin e parë u shkaktua nga dinamika e ngjarjes dhe transportimi i të plagosurve në dy spitale të ndryshme, një publik dhe një privat.
Policia sqaron gjithashtu se një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe u raportua fillimisht si viktimë, u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së ekipit mjekësor me procedura reanimimi. Më pas, ai u transferua në Spitalin Ushtarak, ku vijon të trajtohet në terapi intensive.
Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e aksidentit, si edhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.


