Një nga pasageret që i mbijetoi aksidentit të rëndë në autostradën Durrës-Tiranë ka rrëfyer momentet dramatike të ngjarjes, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë u përmbys, duke shkaktuar viktima dhe disa të plagosur.
Ajo tregon se pak çaste para aksidentit kishte vënë re se drejtuesi i mjetit po shfaqte shenja të pazakonta gjatë drejtimit.
“Rrugës pashë shoferin që bënte lëvizje, rrotullohej, nuk ishte mirë. Po shkruaja në telefon kur autobusi u përmbys”, rrëfeu pasagerja.
Sipas saj, pasojat më të rënda i pësuan udhëtarët që ndodheshin në anën e majtë të autobusit.
“Ata që ishin ulur në anën e majtë të mjetit morën dëmtime shumë të rënda. Shoferin e pashë që vdiq. Dëmtime të rënda mori edhe djali i ulur pas tij dhe një vajzë. Unë isha ulur në anën e djathtë dhe nuk u lëndova”, tregoi ajo.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Sipas dyshimeve paraprake, drejtuesi i autobusit mund të ketë pësuar një problem shëndetësor gjatë udhëtimit, çka mund të ketë sjellë humbjen e kontrollit të mjetit.


