Dy aksidente janë regjistruar sot në Pogradec, në zonat e Qafë Plloçës dhe në aksin Pogradec–Qafë Thanë, duke lënë të plagosur dy drejtues mjetesh.
Në aksidentin e parë, një automjet ka humbur kontrollin në rrugën e re të Qafë Plloçës dhe është përplasur me barrierat anësore. Drejtuesi i mjetit ka mbetur i lënduar dhe është transportuar në spitalin e Pogradecit, ku po merr ndihmë mjekësore. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit, ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Aksidenti i dytë ka ndodhur në aksin Pogradec–Qafë Thanë, ku një tjetër automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierat anësore. Si pasojë është plagosur drejtuesi i mjetit, i cili ka marrë ndihmën e parë në vendngjarje. Gjendja e tij shëndetësore ende nuk bëhet e ditur, ndërsa policia po punon për sqarimin e shkaqeve të ngjarjes.


