Policia e Tiranës ka goditur një rast të tentativës për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të operacionit të koduar “Kontinenti”.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin e Qendrës Tranzite të Postës Shqiptare, nën drejtimin e Prokurorisë, arrestoi në flagrancë Orest Kutaj, 22 vjeç, banues në Shkodër.
I riu u kap në një degë postare në Vorë, në momentin që po merrte një pako që përmbante 7 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, me përqindje të lartë THC-je. Hetimet e para tregojnë se droga dyshohet të ketë ardhur nga Kanadaja, e trafikuar përmes shërbimeve postare drejt Shqipërisë.
Hetimet e mëtejshme kanë çuar edhe në identifikimin e porositësit të pakos, shtetasit Z. M., i cili aktualisht është shpallur në kërkim. Policia ka intensifikuar punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij, ndërkohë që nuk përjashtohet përfshirja e personave të tjerë në këtë rrjet të dyshuar të trafikut të organizuar.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve dhe marrjen e masave ligjore për të gjithë të përfshirët në këtë rast.


