Në Gjenevë ka nisur një samit vendimtar i OKB-së që synon të ndalë katastrofën globale të ndotjes nga plastika. Përfaqësues nga qindra vende janë mbledhur për të negociuar një marrëveshje historike – një traktat ndërkombëtar që mund të ndryshojë fatin e mjedisit.
Por përballë këtij përpjekjeje që mund të shpëtojë planetin, qëndrojnë gjigantët e industrisë së naftës, të cilët kundërshtojnë reduktimin e prodhimit të plastikës dhe duan që bisedimet të fokusohen vetëm në menaxhimin e mbetjeve, jo në burimin e tyre.
Samiti 10-ditor është organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), pas dështimit të bisedimeve të mëparshme në Busan, ku shtete si Arabia Saudite dhe Rusia bllokuan konsensusin.
“Shumë vende kanë ardhur me vullnet për marrëveshje,” tha drejtuesja e UNEP, Inger Andersen, për AFP. Por paralajmëroi se rruga drejt një traktati të detyrueshëm është ende e vështirë.
Plastika ka ndotur çdo cep të globit: nga malet më të larta te thellësitë e oqeaneve, nga ajri që thithim deri në trupin e njeriut. Çdo vit prodhohen mbi 400 milionë ton plastikë, ku gjysma janë produkte njëpërdorimshme. Vetëm 9% riciklohet – pjesa tjetër ndot tokën, ujin dhe ajrin që na mban gjallë.
Një raport i The Lancet paralajmëron se ndotja plastike po kthehet në një krizë shëndetësore globale me pasoja ekonomike prej 1.5 trilionë dollarësh në vit.


