Deklarata delirantësh i ka quajtur anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, thirrjet për radikalizim të sjelljes së opozitës, me paralajmërime për bllokime të rrugëve, porteve, aeroporteve e madje dhe universiteteve.
Myslim Murrizi tha sot se opozita duhet të shikojë nga vetja për të ndryshuar përballë një qeverie të cilën e akuzoi të lidhur me bandat.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Myslim Murrizi: Dënimi i Ervin Salianjit është hakmarrje politike. Salianji ka akuzuar vëllain e Fatmir Xhafajt se ka pasur për të vuajtur dënimin me burg. Vendimi i gjykatës shqiptare për Salianjin më duket absurd. Ervin Salianji ka treguar se është makineri elektorale për votat. Jam kritik ndaj thirrjeve të mëdha që ka bërë opozita, janë pritshmëri në qiell. Nëse ka protestë më datë 7 tetor, atëherë çfarë do të ndodhë më datë 8 tetor? Ç’gjë të re do shohim? Edhe Basha ka thënë se Ramën e kemi rrëzuar. Këto janë deklarata të delirantëve dhe atyre që duan të mashtrojnë, por nuk i mashtrojnë dot.E kanë bërë bajat këtë punë me thirrjet e shpeshta. Kjo është një qeveri, që ka lidhje me bandat. Në këtë drejtim duhet parë më së tepërmi. Duhet parë pse nuk jemi të ëmbël dhe nuk afrojmë dot pjesën gri, duhet të shikojmë veten.


