Trump largohet para kohe nga G7: “Po punoj për diçka më të madhe se armëpushimi”
Presidenti amerikan Donald Trump u largua para kohe nga samiti i G7-ës, duke lënë pas tensione dhe paqartësi për qëllimin e kthimit të tij në Uashington. Gjatë samitit, liderët e G7-ës miratuan një deklaratë të përbashkët që bënte thirrje për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme, e cila fitoi mbështetjen e Trump pas disa ndryshimeve në draftin e tekstit.
Sipas burimeve pranë administratës amerikane, Trump u ka dhënë udhëzime zyrtarëve të tij të nisin sa më parë bisedimet me autoritetet iraniane, ndërkohë që ka paralajmëruar edhe për rrezikun e mundshëm në Teheran, duke theksuar rrezikun për 10 milionë banorët e kryeqytetit iranian.
Largimi i hershëm i Presidentit amerikan u shoqërua me përplasje verbale me presidentin francez Emmanuel Macron. Ky i fundit deklaroi se Trump po kthehej në Uashington për të punuar për një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit. Por Trump e hodhi poshtë këtë deklaratë me tone të ashpra në rrjetin e tij Truth Social:
“Presidenti Macron, që kërkon publicitet, e ka gabim. Ai nuk e ka idenë pse po kthehem. Sigurisht nuk ka lidhje me armëpushimin. Është diçka shumë më e madhe se kaq. Emmanuel gjithmonë gabon”, shkroi Trump, duke lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje më të gjerë.


