Tensione dhe përplasje u shënuan këtë të martë përpara godinës së Kuvendit, ku një grup qytetarësh protestuan gjatë zhvillimit të seancës plenare. Protesta u shoqërua me incidente mes demonstruesve dhe forcave të policisë, ndërsa gjashtë persona u shoqëruan dhe katër punonjës policie mbetën të lënduar.
Për shkak të protestës së njoftuar, deputetët e Partisë Socialiste mbërritën në Kuvend rreth 30 minuta përpara nisjes së seancës.
Pas rreth një ore, protestuesit u zhvendosën nga krahu anësor drejt hyrjes kryesore të Parlamentit, duke transportuar edhe një kosh mbeturinash.
Tensionet u rritën kur protestuesit hodhën vezë në drejtim të automjeteve brenda perimetrit të sigurisë së Kuvendit. Forcat e policisë ngritën një kordon sigurie dhe penguan hyrjen e tyre në ambientet e Parlamentit.
Policia u kërkoi protestuesve të lironin rrugën, por këta të fundit refuzuan. Për shkak të përshkallëzimit të situatës, në vendngjarje mbërritën edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të rikthyer qarkullimin.
Gjatë tensioneve, protestuesit bllokuan të dy hyrjet e Kuvendit. Policia shoqëroi gjashtë persona, mes tyre edhe Dritan Goxhajn. Sipas autoriteteve, gjatë përplasjeve mbetën të lënduar katër punonjës policie, pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Patrullës së Përgjithshme.
Pas shoqërimeve, protestuesit u drejtuan drejt Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, ku kërkuan lirimin e të ndaluarve.
Në ambientet e Drejtorisë së Policisë u paraqitën edhe deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri. Pas një takimi me drejtues të Policisë së Tiranës, Shehaj deklaroi se gjashtë personat e shoqëruar janë shpërndarë në tre komisariate të ndryshme.
Ndërkohë, pranë Komisariatit nr. 1 mbërriti edhe Avokati i Popullit, Endri Shabani, për të ndjekur nga afër situatën.


