Një incident i dhunshëm është regjistruar ditën e sotme pranë zyrave elektorale të Partisë Social Demokrate (PSD), ku është sulmuar Lendi Palaj, i njohur ndryshe si menaxheri i lokaleve ‘333’ dhe ‘CR7’, të cilat janë vënë në qendër të vëmendjes pas investigimeve të gazetares Ola Xama mbi bastet ilegale.
Sipas burimeve paraprake, konflikti ka nisur për shkak të një borxhi të pashlyer që dyshohet se Lorenc Telhallari i kishte Palajt, i lidhur me aktivitetin e paligjshëm të basteve. Fillimisht, përplasja fizike ndodhi jashtë zyrës së PSD-së, ku ndodhet edhe një nga lokalet në fjalë.
Më pas, Palaj u fut brenda ambienteve të PSD-së, ku raportohet se ka qenë një frekuentues i rregullt, dyshohet për dorëzimin e të ardhurave nga aktivitetet e tij. Konflikti degjeneroi kur Lorenc Telhallari u kthye në vendngjarje së bashku me babain e tij, Arjan Telhallari, i cili mendohet se ishte nën efektin e alkoolit. Të dy goditën zyrën dhe dhunuan Palajn.
Policia gjeti në vend dy fishekë lufte, duke ngritur dyshime për praninë e një arme gjatë incidentit. Për fat të mirë, nuk pati të shtëna dhe ngjarja nuk mori përmasa më të rënda.
Hetimet janë në vijim dhe policia po punon për sqarimin e plotë të rrethanave.


